CIRKU FLUTURES’ PËRZGJIDHET PËR WORKS IN PROGRESS NË KARLOVY VARY IFF

Shtëpia filmike B2 sot bëri të ditur lajmin se projekti filmik “Cirku Fluturues” me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berisha është përzgjedhur në programin Works in Progress në festivalin prestigjioz të filmit në Karlovy Vary. Projekti ‘Cirku fluturues’ është përzgjedhur në mes 11 projekteve filmike nga tërë bota që do të garojnë për cmimet në këtë kategori.
“Works in Progress në Karlovy Vary International Film Festival është një garë ku kanë aplikuar projekte nga mbarë bota dhe përzgjedhja në mes 11 më të mirëve mua si producente e këtij filmi më bën të ndihem shumë mirë, sepse është një vlerësim për punën tonë në fazë të hershme kur sapo e kemi xhiruar filmin. Është një mundësi shumë e mirë për ta prezentuar projektin para emrave më të rëndësishëm të industrisë së filmit në Europë, dhe poashtu për të sprovuar veten nëse mund të fitojmë edhe çmimin për postproduksion të filmit që do të na lehtësonte shumë punën” – u shpreh Vjosa Berisha, producente e filmit.
Projektet e përzgjedhura në këtë garë të Pitching do të prezentohen para jurisë profesionale dhe një publiku të gjerë profesionistësh nga mbarë bota duke u futur njëherit në garë për çmimin kryesor prej 100,000 euro në shërbime të postproduksionit.
Regjisori dhe skenaristi i filmit Fatos Berisha me këtë rast deklaroi: “Jam shumë krenar për këtë vlerësim nga një festival i kategorisë A. Përvec mundësive për ta prezantuar filmin para distributorëve, selektorëve të shumtë të festivaleve nga gjithë bota, kjo është edhe një vlerësim i punës që gjithë ekipi ka bërë gjatë xhirimit të filmit. Kjo na jep shpresa që filmi mund të ketë një rrugëtim të mbarë”.
Projekti filmik ‘Cirku Fluturues’ filloi xhirimet në prill të këtij viti të cilat zgjatën plot 19 ditë me sheshxhirime në tre shtete, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, përkatësisht katër qytete Prishtinë, Ulqin, Shkodër dhe Tiranë, duke ndjekur rrugëtimin e skenarit të shkruar nga Fatos Berisha, të bazuar në ngjarje të vërtetë. ‘Cirku Fluturues’ është një komedi e zezë që në vete ngërthen një rrugëtim të një grupi aktorësh, luajtur nga Armend Smajli, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani dhe Afrim Muçaj, të cilët nisen për të marrë pjesë në Festivalin e Teatrit në Tiranë me shfaqjen e tyre, duke marrë përsipër rrezikun e kalimit të kufirit në mënyrë ilegale në një kohë të rrezikshme pak para luftes së Kosovës. Një storje dinamike me shumë situata komike dhe të dhimbshme, pritet të shfaqet para publikut diku në fillim të vitit 2019. Në kastën e madhe të aktorëvë ndër tjerash në film luan edhe Velibor Topic, aktor me prejardhje nga Bosnja, i njohur për rolet e tij në filmat ‘Snatch’ të Guy Ritchie, si dhe ‘Kingdom of Heaven’ dhe ‘Robin Hood’ të Ridley Scott.
Producentja e filmit Vjosa Berisha dhe regjisori Fatos Berisha kanë një përvojë të gjatë nga puna e tyre në projekte të ndryshme filmike, televizive, në teatër si dhe përvojë dhjetë vjeçare të organizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest.
Projekti filmik ‘Cirku Fluturues’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërise dhe Bashkia Tiranë, ndërsa ko-producent i projektit është edhe shtëpia filmike Ikonë Studio nga Kosova.
Edicioni i 53-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary do të mbahet në datat 29 qershor deri me 7 korrik, kurse gara Works in Progress ku do të prezentohet projekti filmik ‘Cirku Fluturues’, mbahet në datat 1-4 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *